Postuar më: 14/12/2022

Përmbledhje e Performancës Paraprake 11 – Mujore të të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 11 – mujore (Janar – Nëntor 2022) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Të ardhurat totale për 11-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 522 miliardë lekë,  në masën 101 % të planit.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 11-mujore të vitit 2022, arritën në rreth 512.9 miliardë lekë,  me një realizim në masën 87.4 përqind të planit të periudhës ndërkohë që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar rreth 4.4 përqind më i lartë ose rreth 21.5 miliardë lekë më shumë.

Niveli i suficitit për periudhën 11-mujore të vitit 2022  rezultoi në rreth 9.5 miliardë lekë,  nga rreth 66.95 miliardë lekë deficit i planifikuar. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 33 miliardë lekë.

 

Performanca Paraprake 11-Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 11 – mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 522 miliardë lekë ose 101 % të planit të 11 – mujorit. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me +64 miliard lekë ose +14% më shumë.

Grafiku 1: Të ardhurat e Përgjithshme (në milionë Lekë)

 

 

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2022)

 

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 465.1 miliardë lekë, 64.8 miliardë lekë ose 16.2% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 4.1 miliardë lekë ose 0.9% më shumë se plani 11-mujor për vitin 2022.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 201.1 miliardë lekë, 28.8 miliardë lekë ose 16.7 % më shumë se 11 mujori 2021, si dhe 1.2 miliard lekë ose 0.6 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 11 mujorin e vitit 2022.

Të ardhurat nga TVSH në import për 11 mujorin rezultojnë 140.9 miliardë lekë, 24.1 miliardë lekë ose 20.6 % më shumë se një vit më parë, si dhe 2.2 miliardë ose 1.6% më shumë se plani për 11 mujorin 2022.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 48.7 miliardë lekë, 2.1 miliardë lekë ose 4.4% më shumë se viti 2021, si dhe 836 milionë lekë ose 1.7% më pak se plani i akcizës për 11 mujorin 2022.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 3.9 miliardë lekë, 1.7 miliardë ose 77% më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe realizim në masën 95.2% kundrejt planit për 11 mujorin 2022.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 7.6 miliardë lekë, 946 milionë lekë ose 14.1% më shumë se 11 mujori 2021, si dhe realizim në masën 99.6 % kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 11 mujorin 2022 u realizuan në masën 264 miliardë lekë, 36 miliardë ose 15.8% më shumë se 11 mujori i vitit të kaluar, si dhe 3  miliardë lekë, ose 1.1% më shumë se plani i 11 mujorit 2022.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 35.9 miliardë lekë, 8.4 miliardë lekë ose 30.7% më shumë se 11 mujori 2021, si dhe 2.8 miliardë lekë ose 8.4% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 11 mujorin 2022. Rimbursimet për periudhën 11 mujore 2022 janë 15.6 miliardë lekë, 6.7 miliardë lekë ose 29.9 % më pak se 11 mujori 2021, si dhe 1.3 miliardë lekë ose 7.6% më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së për 11 mujorin 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 40.9 miliardë lekë 10.2 miliardë lekë, ose 33.4% më shumë se 11 mujori 2021, si dhe 221 milionë lekë me pak ose 99.5 % e planit të vitit 2022 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 41.1 miliardë lekë, 5.1 miliardë lekë ose 14.1% më shumë se 11 mujori 2021, si dhe 1.2 miliardë lekë ose 2.9 % më pak se plani i 11 mujorit 2022.

Taksat nacionale, për periudhën 11 mujore 2022 u realizuan në masën 37.7 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 4% më shumë se 11 mujori 2021, si dhe 2.6 miliardë lekë ose 6.4 % më pak se plani i përcaktuar për 11 mujorin 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 108.3 miliardë lekë, 10.8 miliardë lekë ose 11% më shumë se 11 mujori 2021, si dhe realizim 103.6 % të planit për 11 mujorin 2022.

 

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 11 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 512.9 miliardë lekë me një realizim në masën 87.4 përqind të planit të periudhës,  ndërkohë që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 4.4 përqind më i lartë ose rreth 21.5 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 11 mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 80.4 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 77.6 përqind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr.12, datë 29.07.2022 (AN nr.12).

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 11 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 94.3 përqind dhe 65.3 përqind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 84.1 përqind dhe 52.1 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar dhe 84.5 përqind dhe 55.4 përqind të planit vjetor sipas AN nr.12.

Shpenzimet korente për periudhën 11 mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 426.8 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 5.5 përqind më i lartë ose rreth 22.3 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 11 mujore të vitit 2022 paraqesin një realizim në masën 62.2 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë rezulton 27.8 përqind më i ulët ose rreth 24 miliardë lekë më pak.

 

Grafiku 2: Shpenzimet korrente dhe kapitale Plan vs Fakt (në milionë Lekë)

 

 

                         Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2022)

Niveli i suficitit për periudhën 11 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 9.5 miliardë lekë nga 66.95 miliardë lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 33 miliardë lekë,  për periudhën 11 mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.

 

Grafiku 3: Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt  (në milion Lekë)

 

 

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2022)