Postuar më: 21/10/2021

Përmbyllen takimet vjetore me BB-Ministrja Ibrahimaj: Masat e marra nga Qeveria ulën ndikimet negative në ekonomi

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj,  dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë morën pjesë në takimin virtual  me Anna Bjerde, Zëvendës/Presidente e Bankës Botërore për Europën, dhe Azinë Qendrore, që shënoi përmbylljen e Mbledhjes Vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në qendër të këtyre takimeve, të cilat zgjaten nga data 11-20 Tetor, ishin diskutimet mbi rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike gjatë 2021 dhe mundësitë për rritje të gjelbër dhe gjithëpërfshirëse në të ardhmen.

Ndërkohë ndërgjegjësimi dhe rritja e nivelit të vaksinimit të popullatës është  cilësuar si një faktor i rëndësishëm në rrugën drejt rimëkëmbjes ekonomike.

Gjatë këtyre takimeve është vlerësuar se, duke patur parasysh të gjithë faktorët që ndikuan  negativisht nga dy krizat që kaluam, tërmeti dhe pandemia, duhet thënë se themelet e ekonomisë shqiptare si punësimi, bilanci i pagesave, sektori financiar dhe financat publike i rezistuan relativisht mirë.

“Për vitin 2021 performanca e buxhetit ka qenë e mirë, të ardhurat u rritën me 5 % përtej targetit dhe shpenzimet buxhetore kanë performuar normalisht duke bërë që deficiti fiskal të jetë shumë poshtë targetit”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj, duke theksuar,  se “ne jemi konfident që në afatgjatë, objektivi ynë për konsolidimin fiskal dhe uljen e borxhit publik do t’i kthehen normalitetit në vitin 2024”.

Në të gjitha takimet, Grupi i Bankës Botërore është shprehur se do të mbështesë agjendën ambicioze për zhvillim të Shqipërisë të fokusuar tek kapitali njerëzor, qëndrueshmëria fiskale, mjedis më i mirë  për biznesin, energji e pastër dhe e përballueshme, qeverisje më të mirë dhe përgatitje për të përballuar rreziqet nga ndryshimet klimatike.