Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore” është mbi të gjitha një përpjekje e përbashkët me sipërmarrjen e cila filloi drejtpërsëdrejti në mars 2016 duke i kërkuar sipërmarrjes mendime dhe opinione për thjeshtësmin e procedurave tatimore në Republikën e Shqipërisë.
Në të njëjtën kohë, vetë paketa konsiderohet një paketë e thjeshtimit të procedurave tatimore dhe në vetvete shënon një kapitull të ri për klimën e biznesit në Shqipëri, duke e konsideruar, sikurse e kam theksuar disa herë, një revolucion në procedurat tatimore në 25 vite.
Në shtator të vitit 2015 qeveria vuri në zbatim një plan konkret veprimi kundër informalitetit, rezultatet e të cilit u reflektuan në rritjen e të ardhurave tatimore, stabilizmin dhe përmirësimin e kuadrit makroekonomik e treguesve fiskalë.
Plani i veprimit kundër informalitetit, u shoqërua në të njëjtën kohë me një sërë masash për thjeshtësimin dhe lehtësimin e proçedurave fiskale duke synuar reflektimin e pritshmërive dhe kërkesat e bizneseve në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit, konkurencës së ndershme dhe mirë-administrimit tatimor. Ky projektligj do të konsolidojë marrëdhënien me sipërmarrjen, për një sistem fiskal të qëndrueshëm me procedura tatimore të thjeshtuara duke synuar vetëpërmbushjen e detyrimeve.
Për hartimin e këtij projektligji Ministria e Financave zhvilloi nje proces të gjerë propozimesh, diskutimesh, konsultimesh të cilat përfshinë një sërë aktorësh të rëndësishëm: përfaqësues të biznesit, shoqërisë civile, Dhomat e Tregtisë vendase dhe të huaja, Shoqatat e biznesit, Këshillin Tatimor, Këshillin e Investimeve, Kompanitë Audituese, Avokatin e Tatimpaguesve, Ekspertë të fushës, administratat tatimore dhe doganore dhe patjetër institucionet ndërkombëtare si FMN dhe Komisioni Europian.
Janë konsultuar dhe shqyrtuar rreth 350 propozime, për një periudhë disa mujore permes nje procesi te hapur, transparent, duke ndryshuar, përmirësuar dhe sjellë në këtë draft-ligj, rreth 60 procedura të përmirësuara në favor të sipërmarrjes.
Ky projektligj sjell disa ndryshime të rëndësishme:
1. Riorganizimi i administrates tatimore dhe sigurimi i pavarësisë së strukturave te Apelimit Tatimor dhe Avokatit te Tatimpaguesit
2. Vendoset për herë të parë në legjislacionifn fiskal “Parimi i precedentit”, si detyrim për administratën tatimore.
3. Detyrmi ligjor për informim, komunikim, unifikim, standardizim të zbatimit te ligjit.
4. Procedura te qarta per çregjistrimin e bizneseve.
5. Nxitja e pajtueshmërisë vullnetare – këtu është bërë një revolucion i drejtpëdrejtë.
6. Reformim i procesit te Apelimit tatimor
7. Lejohet përdorimi i faturës tatimore kompjuterike.
8. Avokati i Tatimpaguesve
9. Marreveshja e pageses me këste – një instrument shumë i rëndësishëm i administratës dhe në linjë me tatimpaguesit.
10. Zgjerim i mundesive per kryerjen e pagesave mbi 150.000 leke
11. Kemi rishikuar një pjesë të madhe të dënimeve administrative tatimore
Në vijim të masave të marra deri me tani, në kuader të thjeshtimit te procedurave per fermerët, eksportuesit, investitorët, me këtë projektligj vazhdojmë të konsolidojmë masat ligjore për eleminimin e hapësirave të sjelljeve abuzive ndaj sipërmarrjes, duke krijuar mekanizma rigorozë, të thjeshtë, të konsoldiuar e transparentë për rritjen e bashkëpunimit dhe besimit ndërmjet biznesit dhe administrates, si dhe krijimin, tashmë edhe përmes këtyre ndryshimeve ligjore, të një kulture të re të zbatimit dhe pajtueshmërisë vullnetare me ligjin, përmes parimit të vetëkorrigjimit.
Dua ta mbyll fjalën time duke ndarë me ju që ky proces ka zgjatur gati gjashtë muaj dhe ka pasur një intensitet të jashtëzakonshëm komunikimi me sipërmarrjen. Shumë nga ndryshimet janë të konsultuara deri në detaje me përfaqësitë e biznesit dhe intitucionet ndërkomabëtare, patjetër që drafti final është konsultuar edhe me departamentin fiskal të FMN dhe shpresoj që së bashku ta detajojmë dhe ta mbështesim.
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.