Këshilli i Ministrave miratoi Programin e Reformave Ekonomike 2022-2024. Ky miratim u bë i ditur nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në komunikimin e zhvilluar pas mbledhjes së qeverisë.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se miratimi dhe më pas zbatimi i Programit të Reformave Ekonomik është një hap më tej në afrimin e vendit drejt Bashkimit Europian dhe përmbushjes së kritereve në fushën ekonomike.
“Programi i Reformave Ekonomike hartohet në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe paraqet për një periudhë afatmesme 3 vjeçare të gjithë reformat strukturore që qeveria shqiptare do të ndërmarrë me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe rritjen ekonomike për këtë periudhë afatmesme. Programi ka në brendësi të tij dhe kuadrin makroekonomik dhe fiskal, i cili paraqet të gjitha elementët e sistemit buxhetor dhe fiskal të vendit tonë”, tha Ibrahimaj.
Miratimi i Programit të Reformave Ekonomik nga Këshilli i Ministrave u parapri nga një proces i gjatë konsultimi me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit.
Reformat strukturore parësore të propozuara në PRE 2022-2024 janë në përputhje me përparësitë e përcaktuara në dokumentet strategjike kombëtare dhe rajonale, dokumentet kyçe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Konkluzionet e Përbashkëta të Dialogut Ekonomik dhe Financiar me BE-në.
Masat e reformave të propozuara synojnë të adresojnë pengesat kryesore për konkurrencën në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si: Menaxhimi i Financave Publike; Transformimi Dixhital; Tranzicioni i Gjelbër; Kërkim, Zhvillim dhe Inovacion; Energjia; Transporti; Bujqësia, Industria dhe Shërbimet; Edukimi dhe aftësitë; Punësimi dhe Tregu i Punës; Mbrojtja Sociale; Kujdesit shëndetësor; Integrimi Ekonomik; dhe Mjedisi i Biznesit dhe Informaliteti.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.