Projektbuxheti i vitit 2023 dhe paketa fiskale që e shoqëron atë janë miratuar në nen për nen në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat.
Në mbledhjen e sotme, komisioni mori në shqyrtim raportet e komisioneve të tjera parlamentare mbi projektbuxhetin dhe projektligjet e paketës fiskale të vitit të ardhshëm dhe më pas i miratoi ato me disa ndryshime.
Projektbuxheti i vitit 2023 parashikon një nivel të ardhurash prej 631.7 miliardë lekë dhe 687.2 miliardë lekë shpenzime, ndërkohë që rritja ekonomike planifikohet të jetë 2.6 %.
Një vëmendje e veçantë në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm i kushtohet përballimit të efekteve të krizës, ku rreth 50 miliardë lekë do të alokohen vetëm për mbështetjen sociale.
Drejtimet kryesore të projektbuxhetit 2023 janë: përforcimi i sistemeve të mbrojtjes sociale për të mbrojtur shtresat më në nevojë; garantimi i furnizimit pa ndërprerje me energji elektrike dhe mos ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike; vijimi i investimeve në rritjen e kapaciteteve digjitale të ekonomisë dhe të qytetarëve.
Sa i përket paketës fiskale 2023, ajo synon të rrisë miradministrimin e të ardhurave dhe të përafrojë legjislacionin tatimor me direktivat e Bashkimit Europian, ashtu si edhe të reflektojë disa korrektime në ligjet aktuale, sipas rekomandimeve të FMN dhe diskutimeve me grupet e interesit. Parashikohen ndërhyrje dhe rregullime në disa ligje që zbatohen aktualisht:
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”;
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”;
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920/2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”.
Projetbuxheti 2023 dhe paketa fiskale që e shoqëron do të kalojë për miratim nen për nen në seancën plenare të datës 24 Nëntor.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.