Buxheti Faktik 2017
Kuvendi miratoi sot Projektligjin për Buxhetin Faktik 2017. Në fjalën e tij Ministri Ahmetaj theksoi se viti 2017 konsolidoi kthesën ekonomike të vendit dhe si rezultat i reformave të ndërmarra nga qeveria Rama, ka një kthim në një pikë të rëndësishme të qëndrueshme të ekonomisë, në një cikël pozitiv disa vjeçar.
Viti 2017, krahas rritjes ekonomike dhe punësimit, ishte viti i parë elektoral që u shoqërua me ulje të borxhit publik, ulje të deficitit dhe balancë primare pozitive, që tregon diferencën e kësaj qeverie në menaxhimin e fnancave publike në vend.
***
Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj:
I nderuar kryetar i Kuvendit, të nderuar deputetë,
Eksperienca e buxhetit të vitit 2017, në tërësinë e tij, që prej fazës së programimit, ekzekutimit, monitorimit, ishte një tjetër eksperiencë mjaft pozitive, si në aspektin e mirëmenaxhimit të financave publike, ashtu edhe në kontributin e dhënë në ekonomi, dhe mirëqenien e qytetarëve.
Buxheti i vitit 2017 mundësoi arritjen e disa objektivave thelbësorë:
Sa i takon zhvillimeve kryesore makroekonomike dhe parametrave kryesorë të qëndrueshmërisë financiare publike gjatë vitit 2017 evidentohet qartë se:
Gjatë vitit 2017 ekonomia shqiptare performoi mjaft mire. Ritmi i rritjes ekonomike vijoi trendin përshpejtues, duke u përmbyllur me 3.84 % rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto;
Sipas optikës së kërkesës agregate, rritja përgjatë vitit 2017 u ndikua nga kërkesa e brendshme, si konsumi dhe investimet në ekonomi. Dua t’ju kujtoj që u bënë 13 tremujorë rresht që konsumi vijon rritje.
Konkretisht sa i kërkon komponentëve të kërkesës së brendshme siç e theksova, dhe formimi i kapitalit fiks bruto, ndryshe referuar investimet, u rritën me 6.5 %.
Ndërkohë, përsa i përket ofertës agregate, përveç prodhimit të energjisë elektrike, i cili gjatë vitit 2017 pati një rënie drastike si rrjedhojë e një moti të thatë, të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë performuan me rritje pozitive.
Është e duhur të ndalojmë për një sekond në këtë element për të thënë që rritja ekonomike është konsoliduar. Rëndom ka debate brenda këtyre mureve dhe jashtë tyre, për cilësinë e rritjes ekonomike dhe ka analistë, profesionistë apo jo profesionistë, që i referohen rritjes sikur sektori energjetik është i vetmi që gjeneron rritje. 2017 ishte një fakt që vërtetoi të kundërtën. Sektori energjetik është një nga sektorët më të rëndësishëm dhe prioritarë, e patjetër ka kontribut të rëndësishëm në rritje. Dikush thotë që ekonomia e Shqipërisë varet nga moti. 2017 tregoi që shërbimet, tregtia, ndërtimi, bujqësia, kontribuan rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe, megjithëse prodhimi i energjisë ra 46 %, gati-gati rekord në shumë vite, ekonomia gjeneroi rritje me 3.84 %.
Bilanci i pagesave shënoi rritje në suficitin e tij duke arritur vlerën 185.4 milionë euro nga 48 milionë euro një vit më parë, dhe ajo që është e rëndësishme e që duhet theksuar këtu, edhe si ndryshim cilësor në strukturë, deficiti i llogarisë korrente vijoi të tkurret në terma absolutë dhe në një masë domethënëse në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ajo që është akoma më e rëndësishme për t’u thënë, në aspektin e pozicionimit të jashtëm të ekonomisë shqiptare, deficiti i llogarisë korente u financua tërësisht me flukse kapitali, të cilat nuk krijojnë borxh. Pra, cilësisht ka filluar ndryshimi strukturor i ekonomisë.
Lidhur me stabilitetin makroekonomik dhe përpjekjeve për konsolidim të tij, padyshim që fondamenti kryesor është qëndrueshmëria e financave publike.
Viti 2017 është vit specifik.
Çfarë do të thotë kjo për këdo që na ndjek? Çdo qeveri mund të bënte hile për të zmadhuar ose për të bërë ekspansion fiskal, të fshehtë apo të drejtpërdrejtë, mund të bënte hile me rritjen ekonomike. Të hynte në një debat e të thoshte: “Ju mendoni që rritja është 3, unë mendoj që rritja do të jetë 6”, të planifikonte të gjitha parametrat fiskalë të bazuara në një rritje fiktive dhe përfundonte, siç përfundoi dikur, me detyrime të prapambetura, me deficite të pakontrolluara. Ajo që ne kemi bërë është që ne e kemi ankoruar me ligj parashikimin e rritjes ekonomike brenda rritjes që publikon zyrtarisht Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndryshim cilësor i planifikimit buxhetor.
Dua të ndaloj në disa elementë që kanë të bëjnë me debatin që u krijua kohët e fundit. Kam sjellë disa të dhëna që vijnë direkt nga sistemi informatik financiar qeveritar, që nga viti 2011, pasi praktikisht u bënë 7 vjet rresht që kjo tabelë është e njëjta, ku Thesari bazohet drejtpërsëdrejti në këtë tabelë, tabela e faktit të deficitit. Deficiti ligjërisht është i panegociueshëm, qoftë si detyrë që Parlamenti ia lë qeverisë, qoftë dhe në filozofinë e kësaj qeverie që konsolidimi fiskal është në themel të menaxhimit të financave publike.
Sigurisht që ka pasur diskutime midis Ministrisë së Financave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Unë dua të falënderoj Kontrollin e Lartë të Shtetit sepse kemi pasur dhe kemi një marrëdhënie të shkëlqyer pune me debate të shëndetshme, me rekomandime dinjitoze të dhëna nga KLSH. Për herë të parë, qeveria, Ministria e Financave, i dha të drejtën KLSH-së që të lexonte sistemin informatik financiar qeveritar. Nuk e them pa qëllim këtë. U bënë 7 vite që KLSH nuk ka mundur të hyjë, ndërkohë që në 2017 ne bëmë të mundur së bashku të punonim mbi sistemin informatik financiar qeveritar, me bazë fakti.
Më vjen mirë që KLSH referohet rregullit ligjor që deficiti buxhetor në 2017 ka qenë -1.99 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Është e rëndësishme që rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit t’i marrim seriozisht, sidomos ato që kanë të bëjnë me detyrimet e prapambetura, sidomos ato që kanë të bëjnë me procedurat e prokurimit publik që nuk duhet të hapen pa u alokuar fondet, menaxhimin e borxhit, menaxhimin në nivel vendor dhe elementë të tjerë që kanë të bëjnë me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit qeveritar.
Unë dua të ndaj me ju se viti 2017 ka konsoliduar kthesën ekonomike dhe besoj që, për shkak të reformave që qeveria Rama ka ndërmarrë, ka një kthim në një pikë të rëndësishme të qëndrueshme të ekonomisë, në një cikël pozitiv disa vjeçar. Mos harroni që debati në 2013-ën ishte a do të biem në spiralen greke apo do të zvarritemi për të shpëtuar nga gropa thithëse. Sot debati është tjetër dhe i shëndetshëm, debati është a na mjafton 3 % rritje ekonomike, a na mjafton 4 % rritje ekonomike dhe sa cilësore është rritja ekonomike. Dua që të mos e harrojmë cilësinë e debatit nga kriza, në cilësinë e rritjes. Ndërkohë, dua që t’ju kthej pas në 2013 kur në Republikën e Shqipërisë kishte vetëm 450 mijë të punësuar në sektorin jo bujqësor dhe papunësia ishte shumë e madhe dhe pa shpresë.
Kur diskutojmë sot që kemi krijuar 234 mijë vende pune, dikush përtej këtyre mureve, ndoshta dhe brenda këtyre mureve por sot mungojnë, mund të ngrihet me të drejtë dhe të thotë: “A mund të mburreni që keni krijuar 234 mijë vende pune, që ekonomia ka krijuar 234 mijë vende pune?”. Jo, absolutisht jo, nuk mund të mburremi. Nuk jemi ne në luksin për t’u mburrur për zhvillimet ekonomike por ama, një gjë mund ta ndajmë qartë: Sot janë 684 mijë vende pune në Republikën e Shqipërisë dhe në katër vite të kësaj qeverie dhe të kësaj mazhorance janë krijuar gati 35 % e vendeve të punës të krijuara në 25 e 27 vite të tranzicionit.
Kur e themi shifrën, nuk e themi për t’u mburrur, por e themi në ndjeshmëri të plotë ndaj qytetarëve, duke iu referuar 234 mijë qytetarëve, mendje, zemra, sy, duar, që ngrihen në mëngjes dhe kanë një punë. Dhe tjetra, shifra nuk është mburrje, por është shpresë për të gjithë atë të papunë, të regjistruar apo të paregjistruar, që ka një shpresë në këtë vend pavarësisht bolorisë politike që kanë kthyer në ideologji “Babalizmin”.
Imagjinoni dy botë: Bota e reformave, ku ne diskutojmë financimin e reformës në drejtësi, në diskutojmë vazhdimin e reformës në sektorin energjetike, ne diskutojmë transparencën e financave publike, ne diskutojmë rritjen e pagave, ne diskutojmë bonusin e bebeve, kurse këta diskutojnë “Babale 1”, “Babale 2”, “Babale 3”, “Babale 4” dhe që këtu besoj që botët e ndara dallojnë qartë dhe qytetarët janë shumë të qartë se kush e ka vëmendjen tek ta.
Faleminderit.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.