Postuar më: 23/05/2019

“Reformim të financave publike qendrore dhe vendore, transparencë në përdorimin e parave të taksapaguesve”

Konferenca Kombëtare “Forcimi i Dialogut mbi Financat e Qeverisjes Vendore: Sfidat, Mundësitë, Transparenca dhe Përgjegjshmëria”

Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizoi sot konferencën kombëtare “Forcimi i Dialogut mbi Financat e Qeverisjes Vendore: Sfidat, Mundësitë, Transparenca dhe Përgjegjshmëria”.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë Erjon Luci, përfaqësues të USAID, përfaqësues të pushtetit vendor në vend, si kryetarë bashkie dhe qarqesh, etj.

Konferenca vendos një standard të ri të dialogut midis Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe qeverisjes vendore, pasi për herë të parë MFE ka përgatitur një Raport Zyrtar për Financat Vendore, që analizon dhe diskuton në mënyrë të hapur me qeverisjen vendore arritjet dhe mosarritjet e reformave dhe buxhetit vendor të vitit të mëparshëm. Raporti është i rëndësishëm për të monitoruar progresin e reformave dhe krijon një mundësi për të gjithë që të reflektojmë mbi bazën e të dhënave për rezultatet e reformave, pritshmërive apo hapave të tjera që janë të nevojshme për në vijim.

Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara përsa i përket menaxhimit financiar, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor. Miratimi i Ligjit për Financat e Vetëqeverisjes Vendore, si dhe i akteve nënligjore në zbatim të tij kanë bërë që menaxhimi i financave publike në nivel vendor të përmirësohet ndjeshëm.

Kështu, madhësia e transfertës së pakushtëzuar, si një ndër burimet kryesore të financimit të buxhetit të shtetit për qeverisjen vendore, është 42% më e lartë se sa ajo e vitit 2015, si vit para fillimit të zbatimit të reformës administrativo-territoriale. Madje, tendenca në rritje e transfertës së pakushtëzuar ka vazhduar edhe në vitin 2019 ku rritja është mbi 1 miliard lekë.

Për vitin 2018, krahasuar me 2017, të ardhurat totale të pushtetit vendor ishin rreth 6 miliard lekë më të larta. Edhe për vitin 2019, të ardhurat e pushtetit vendor janë parashikuar me rritje, madje që në tremujorin e parë të këtij viti ato janë 1.3 miliard lekë më të larta se sa parashikimi. Kjo flet qartë, për efektet pozitive reale të reformave të ndërmarra, si dhe për një vëmendje të shtuar të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në mirëmenaxhimin e financave publike vendore.

Taksa mbi pasurinë e paluajtjshme është nën një reformim të thellë, ç’ka krijon mundësi dhe kushte për rritje të të ardhurave dhe përmirësim të administrimit financiar të të gjitha taksave e tarifave të tjera vendore. Kjo rritje e të ardhurave për qeveirsjen vendore përkthehet në financim më të mirë të funksioneve vendore e për rrjedhojë të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.

Rritja e autonomisë fiskale e qeverisjes vendore duhet të shoqërohet me një rritje të cilësisë së shërbimeve që ofrojnë njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke siguruar një përdorim eficient, efektiv dhe ekonomik të burimeve financiare në dispozicion.

Gjatë konferencës u konfirmua se raporti Zyrtar për Financat Vendore dhe takimet me përfaqësuesit e pushtetit lokal do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme, si një standard i ri në komunikimin midis pushteteve dhe në rritjen e transparencës në raport me taksapaguesit.

Po ashtu, u shpreh gatishmëria e MFE për reformimin e financave publike, qendrore dhe vendore, me qëllim që paratë e taksapaguesve të përdoren për të përmirësuar jetën dhe mirëqënien e qytetarëve.