Në kuadër të zbatimit të VKM nr. 50, datë 05.02.2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit” të ndryshuar”, për vitin 2015 Ministria e Financave ka vijuar punën për të siguruar vazhdimin e procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura.
Në kuadër të Strategjisë, deri më datë 4 shkurt 2015, Ministria e Financave ka alokuar në total rreth 9.1 miliardë lekë detyrime të prapambetura sipas kategorive: (i) Investimet publike, janë alokuar 5.1 miliardë lekë, (ii) Shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.2 miliardë lekë, (iii) “Të tjera” janë alokuar 3.8 miliardë lekë ku përfshihen: detyrimet për “Vendimet gjyqësore” janë alokuar rreth 1.6 miliardë lekë, “Shpronësimet” janë alokuar rreth 1 miliard lekë dhe “Emergjencat dhe shpërblimet për lindjet” janë alokuar rreth 1.1 miliardë lekë.
Procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura është duke u monitoruar dite pas dite nga Ministria e Financave në mënyrë që të parandalohet çdo pengesë dhe vështirësi në kryerjen në kohë dhe sa më shpejt të këtij procesi.
Për këtë arsye, u bëhet thirrje të gjithë individëve dhe subjekteve private, të verifikojnë listat e detyrimeve të çelura dhe të publikuara në web-sitin e Ministrisë (të hedhura në Thesaret përkatëse) dhe nëse janë pjesë e tyre të paraqiten sa më shpejt pranë institucioneve përkatëse, në mënyrë që të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.