Italia vazhdon të mbetet një ndër vendet kryesore partnere jo vetëm me ndikim pozitiv në procesin e integrimit europian, por edhe në mbështetjen e plotë për të luftuar krimin ekonomiko-financiar dhe trafiqet e paligjshme.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, priti në një takim misionin e delegacionit të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza të Romës , I cili përbëhej nga Gjeneral Brigade Cosimo Di Gesù, Kreu i Repartit II për Bashkërendimin Informativ dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, dhe Gjeneral Brigade Giuseppe Arbore, Kreu i Repartit III të Operacioneve.
Vizita dyditore në Tiranë e Gjeneralëve Arbore dhe Di Gesù dëshmon për rëndësinë dhe vëmendjen që tregon Italia ndaj bashkëpunimit ekonomiko-financiar me Shqipërinë dhe forcimit të luftës së përbashkët ndaj trafiqeve të paligjshme.
Në takimin e zhvilluar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë krahas vënies në pah të një bashkëpunimi të konsoliduar tashmë të pranisë së Guardia di Finanza në vendin tonë që prej vitit 1997, u diskutuan edhe nisma të reja të mundshme të ndihmës, në fusha si:
– formimi dhe bashkëpunimi në hetimet ekonomiko-financiare dhe tatimore,
– lufta ndaj pastrimit të parave dhe kapitaleve të paligjshme,
– hetimet financiare dhe pasurore,
– mbrojtja e shpenzimeve publike dhe antikorrupsioni.
Gjithashtu nga pala italiane u mirëpritën kërkesat e parashtruara nga Qeveria shqiptare, për organizimit të kurseve të posaçme të formimit, të cilat mund të zhvillohen në të ardhmen në Shqipëri ose në Itali, pranë Shkollës së Policisë Ekonomiko-Financiare në Lido di Ostia (Romë), një qendër e shkëlqyer formimi i Guardia di Finanza e njohur International Tax Academy nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OCSE).
Ky takim rikonfirmoi vullnetin për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve tona, duke e shtrirë punën në hetimet ekonomiko-financiare e tatimore si dhe formimin, si një mjet thelbësor për fuqizimin e institucioneve shqiptare me qëllim konsolidimin e besimit të qytetarëve shqiptarë në rrugëtimin e integrimit të Vendit në Bashkimin Evropian.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.