Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, u mblodhën sot në Korcë për të zhvilluar Mbledhjen e Katërt të Përbashkët.
Pjesë e axhendës së Mbledhjes ishte firmosja e 12 Marrëveshjeve të Bashkëpunimit, mes të cilave tre të inicuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Marrëveshja për Vërtetimin e Periudhave të Sigurimit për Realizimin e të Drejtës për Pension; Memorandumi i Mirëkuptimit mes Agjensisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KEISA) dhe Agjensisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) dhe Protokolli për Bashkëpunimin Teknik në Fushën e Bujqësisë për Njohjen Bilaterale të Certifikatave Veterinare dhe Produkteve me Origjinë Shtazore dhe jo-Shtazore.
Në fjalën e tij Ministri Ahmetaj bër një prezantim të marrëdhënieve tregtare dhe shkëmbimeve mes dy vendeve, duke theksuar potencialin e madh që ende mbetet per t’u shfrytëzuar në volumet tregtare, por edhe në nxitjen e investimeve të huaja.
Po kështu Ministri theksoi rëndësinë e marrëveshjeve të firmosura.
Marrëveshja për Vërtetimin e Periudhave të Sigurimit për Realizimin e të Drejtës për Pension, bën të mundur vlerësimin e të gjitha periudhave të sigurimit dhe kontributeve të paguara për shtetasit e të dy vendeve, pavarësisht në cfare ane të kufirit janë. Me hyrjen e kësaj marrëveshje në fuqi, vitet e kontributeve të siguruara në një vend do të merren të mirëqena edhe në vendin tjetër, për të përcaktuar të drejtën për pension. Gjithashtu, kjo marrëveshje sanksionon trajtimin e barabartë të qytetarëve në lidhje me sigurimet shoqërore pavarësisht vendit ku banojnë apo punojnë.
Memorandumi i Mirëkuptimit mes Agjensisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KEISA) dhe Agjensisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), synon shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin ekonomik me organizata nga mjediset e bizneseve të te dyja vendeve, duke përfshirë përgatitjen e prezantimeve mbi mundësitë e investimeve në vendet e tyre; Nxitjen e investimeve me përfitime të ndërsjella dhe të krijojë një klimë të përçueshme për investimet; Dhënien e informacionit mbi kushtet për realizimin e aktivitetit të investimit nga biznesi, duke përfshirë aktivitete të tilla si ndërmarrjet e përbashkëta dhe pjesëmarrje e përbashkët në projektet investuese etj.
Protokolli për Bashkëpunimin Teknik në Fushën e Bujqësisë për Njohjen Bilaterale të Certifikatave Veterinare dhe Produkteve me Origjinë Shtazore dhe jo-Shtazore, është një tjetër inisiativë e drejtpëdrejtë e Ministrisë së Finanacve dhe Ekonomisë, në kuadër të bashkëpunimit për nxitjen e lehtësimin e tregtisë (për njohjen e certifikatave veterinare, planeve kombëtare të monitorimit, unifikimin e dokumentacionit për produktet me origjinë joshtazore apo njohjen e analizave të laboratorëve të referencës), e cila u nënshkrua nga Ministrat e Bujqësisë të të dy vvendeve.
***
Fjala e plotë e Ministrit në Mbledhjen e Përbashkët të dy Qeverive
I nderuar Kryeministër Rama,
I nderuar Kryeministër Haradinaj,
Ministria e Financave dhe Ekonomisë e Republikës së Shqipërisë, ka tre nisma të rëndësishme që nënshkruhen sot në Mbledhjen e Përbashkët të dy Qeverive:
1. Në fushën e pensioneve
2. Memorandumin e mirëkuptimit mes dy agjensive të investimeve
3. Kemi ndërmarrë po kështu një nismë të rëndësishme, në kuadër të bashkëpunimit për nxitjen e lehtësimin e tregtisë (për njohjen e certifikatave veterinare, planeve kombëtare të monitorimit, unifikimin e dokumentacionit për produktet me origjinë joshtazore apo njohjen e analizave të laboratorëve të referencës), e cila do të nënshkruhet nga Ministri i Bujqësisë, ky është një hap i rëndësishëm para në kuadër të lehtësimit të tregtisë me rajonin, që e nisim me Kosovën me synimin për ta shtrirë në të gjithë vendet fqinje.
Dy fjalë shkurtimisht për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Shqipëria dhe Kosova kanë intensifikuar nivelin e tregtisë me njëra-tjetrën. Por kualiteti dhe vlera e shkëmbimeve tregtare është gjithsesi modeste, duke u bazuar në produkte bazike dhe materiale të papërpunuara.
Volumi tregtar në 10 mujorin 2017, është në nivelin e 184,3 milionë euro.
Gjatë periudhës së 10-mujorit Janar – Tetor 2017 eksportet u rritën me 33% dhe Përsa importet, me +52%.
Marrëveshja midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, bën të mundur vlerësimin e të gjitha periudhave të sigurimit dhe kontributeve të paguara për shtetasit e të dy vendeve, pavarësisht në cfare ane të kufirit janë. Me hyrjen e kësaj marrëveshje në fuqi, vitet e kontributeve të siguruara në një vend do të merren të mirëqena edhe në vendin tjetër, për të përcaktuar të drejtën për pension. Gjithashtu, kjo marrëveshje sanksionon trajtimin e barabartë të qytetarëve në lidhje me sigurimet shoqërore pavarësisht vendit ku banojnë apo punojnë.
Bazuar në të dhënat e regjistrit tregtar, rezulton se janë regjistruar 817 subjekte nga Kosova të përqendruar në fushat: Industri përpunuese; tregti; riparim i automobilave dhe artikujve shtëpiakë; hoteleri dhe restorante; shërbime kolektive, sociale dhe personale; transport dhe telekomunikacion; ndërtim, etj.
Pavarësisht se numri i bizneseve nga Kosova është i lartë, vlera e investimit është modeste, në masën 46 milion euro dhe fluksi i IHD nga Kosova në masën 2 mil euro në tremujorin e dytë të viti 2017.
Në funksion të intensifikimit të bashkëpunimit për nxitjen e investimeve në të dy anët e kufirit, sot nënshkruajmë këtë memorandum mirëkuptimi mes dy agjensive homologe të investimeve.
Palët do të dakordësojnë bashkërisht axhendën vjetore të projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta.
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.