Postuar më: 22/05/2014

“Sigurimi i Depozitave”, merr 97 vota në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën plenare të datës 22 maj 2014, projektligjin “Për Sigurimin e Depozitave” me plot 97 vota duke pasur kështu dhe konsensusin e opozitës. Ky projektligj është një nismë drejt zhvillimit të sektorit financiar dhe ka një rëndësi të veçantë për stabilitetin e qendrueshmërinë financiare. Përfshirja e shoqërive të kursim-kreditit në skemën e sigurimit të depozitave siguron zhvillimin e sektorit mikro-financiar në vend në përputhje me veçoritë e ekonomisë së vogël shqiptare, ende të pazhvilluar.

1. Arsyet kryesore për ndryshimin e ligjit

  • Projektligji “Për sigurimin e depozitave” synon të rrisë dhe forcojë besimin e depozituesve, të rrisë e forcojë stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar në vendin tonë, sidomos e nevojshme kjo në kushtet e krizës së viteve të fundit, dhe të situatës jo të mirë ekonomike që ka prekur edhe sistemin tonë bankar, e shprehur dukshëm në rritjen e nivelit të kredive të këqija.
  • Skema e sigurimit të depozitave është një nga shtyllat kryesore për sigurinë dhe stabilitetin financiar në vend. Për këtë arsye, ky projektligj mbështetet në standardet ndërkombëtare për sigurimin e depozitave, si dhe në praktikat më të mira të vendeve anëtare të BE-së.
  • Ky projektligj është në përputhje me rekomandimet e misionit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, në kuadër të programit të vlerësimit të Sektorit Financiar në Shqipëri.Në këtë mënyrë dëshmohet seriozitet në partneritet dhe bashkëpunim, por edhe në hartim dhe realizim programesh për rimëkëmbjen e ekonomisë.
  • Në hartimin i këtij projektligj janë përshirë edhe sugjerimet e Shoqatës Shqiptare të Bankave, si dhe ato të unioneve dhe shoqërive të kursim-kreditit.

 

2. Aspektet që përmirësohen nëpërmjet projektligjit

Nëpërmjet këtij projektligji përmirësohen një sërë aspektesh:

  • Ndryshimet kryesore në projektligj prekin përfshirjen e shoqërive të kursim-kreditit në skemën e sigurimit të depozitave, duke i trajtuar ato në mënyrë të barabartë me bankat.
  • Kontributet fillestare dhe primet nga shoqëritë e kursim-kreditit, së bashku me fondin themeltar për sigurimin e depozitave në këto shoqëri, i cili do të lëvrohet nga Buxheti i Shtetit, do të mundësojnë krijimin e një fondi, në nivel të mjaftueshëm për të përballuar mbulimin e anëtarëve të shoqërive të kursim-kreditit.
  • Projektligji prek edhe funksionet e Agjencisë me qëllim kryesor përmirësimin e mirëqeverisjes. Synohet të rritet autonomia operacionale duke u shoqëruar me përmirësimin e llogaridhënies dhe mirëqeverisjes.
  • Projektligji, si kundërpeshë të rritjes së autonomisë, parashikon detyrimin e Agjencisë për t’i raportuar Bankës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, është shtuar detyrimi i institucionit për të publikuar pasqyrat financiare të audituara. Ndërkohë, janë forcuar e detajuar kërkesat dhe kriteret paraprake për anëtarët e Këshillit Drejtues dhe stafin e Agjencisë, për shmangien e konfliktit të interesit, për ruajtjen e konfidencialitetit, dhe për mbrojtjen ligjore gjatë ushtrimit të detyrës.
  • Në projektligj janë përfshirë praktikat më të mira dhe janë zbatuar rekomandimet duke sjellë një ndarje të qartë të kompetencave dhe përgjegjësive të organeve drejtuese, si dhe detyrimin e institucionit për të bashkëpunuar me autoritetet dhe grupet e interesit për qëllim të sigurimit dhe kompensimit të depozitave.
  • Në projektligj paraqiten në mënyrë më të detajuar funksionet e ASD-së në drejtim të iniciativës rregullatore, mbikëqyrëse dhe të zgjedhjes së subjekteve anëtare të skemës, si dhe për ushtrimin e masave parandaluese.
  • Projektligji qartëson skemën e sigurimit të depozitave si pjesë të rëndësishme të sigurisë dhe stabilitetit financiar.
  • Objektivi parësor i ASD-së, kompensimi i depozitave, mbështet nga dy objektiva tëtjerë të rëndësishëm: mbrojtja e interesave të depozituesve, dhe dhënia e kontributit në stabilitetin e sistemit financiar bankar.
  • Përmirësohet anëtarësimi dhe përjashtimi i subjekteve nga skema, duke njehsuar  procedurën në fuqi për bankat edhe për shoqëritë e kursim-kreditit(pjesë e rekomandimeve FMN, BB).
  • Janë detajuar detyrimet e subjekteve anëtare të skemës, që kanë të bëjnë me mbajtjen dhe raportimin elektronik të të dhënave të detyrueshme për depozitat dhe depozituesit, si dhe për informimin e publikut (sipas Direktivës 94/19 të Parlamentit Evropian “Për skemat e sigurimit të depozitave”).
  • Janë thjeshtuar dhe qartësuar përcaktimet dhe termat, duke i përputhur ato me konceptet e ligjeve për bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit. (Në përputhje me Direktivën e BE-së “Për skemat e garantimit të depozitave”). Kështu, është saktësuar gjuha e përdorur duke parashikuar shprehimisht se depozitat e degëve të huaja të bankave vendase jashtë, nuk mbulohen nga skema, ndërsa depozitat e degëve të bankave të huaja në Shqipëri mbulohen me sigurim.
  • Është përmirësuar llogaritja e primit të sigurimit, me qëllim kryesor thjeshtimin e llogaritjeve dhe verifikimit të saktësisë, si dhe për të ndjekur më mirë ecurinë e depozitave. Një ndryshim i tillë përveç se përmirëson llogaritjen në favor të depozituesve, nuk sjell asnjë ndikim financiar në buxhetin e shtetit.

Avantazhet e propozimit të primit tre-mujor, kundrejt primit vjetor që është sipas ligjit aktual në fuqi, janë:

  • Primi tremujor ndjek në kohë ecurinë e depozitave të subjektit;
  • Shumat e depozitave të mbajtura në bankë në tre ditët e fundit të muajve të tremujorit, që shërbejnë si bazë për llogaritjen e primit, janë të përputhura me bilancin;
  • Llogaritja si edhe verifikimi i saktësisë së tij realizohet më thjesht.

Një kapitull i veçantë i dedikohetmënyrës së administrimit të riskut, duke i kushtuar kështu rëndësi më të madhe regjimit të brendshëm financiar, si dhe masave që mund të merren në lidhje me rezervën e duhur të fondeve.

 

3. Përfituesit dhe efektet e financiare të projektligjit

  • Përfituesit kryesorë të projektligjit “Për sigurimin e depozitave” janë depozituesit individë të sistemit bankar dhe financiar në Shqipëri si dhe vetë ky sistem në tërësi, për shkak të qartësimit të kompetencave dhe funksioneve të institucioneve publike në skemë, nga njëra anë, dhe qartësimit të detyrimeve të bankave dhe shoqërive të kursim-kreditit që mbledhin depozita nga ana tjetër.
  • Projektligji forcon autonominë, qeverisjen dhe llogaridhënien e ASD-së, në zbatim tëstandardeve ndërkombëtare të sigurimit të depozitave.
  • Projektligji përmirëson marrëdhëniet e ASD-së me bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit në kuadër të përllogaritjes sëprimit të sigurimit, mbajtjes së të dhënave mbi depozitat dhe depozituesit dhe informimin e publikut.
  • Projektligji nuk cënon apo dëmton ndonjë grup, individë apo subjekte tëveçantë. Nëpërmjet analizave të detajuara bazuar në kostot dhe përfitimet, projektligji siguron një trajtim të barabartë ndërmjet bankave dhe shoqërive të kursim-kreditit.
  • Përfshirja e shoqërive të kursim-kreditit në skemën e sigurimit të depozitave, qësynon të rrisë dhe forcojë besimin e depozituesve dhe të rrisë e forcojë stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar në vendin tonë, do të ketë efekte financiare prej 50 milionë lekësh, të cilat do të financohen nga Buxheti i Shtetit të vitit 2014 të aprovuar.

Të rejat e fundit