Të nderuar bashkudhëtarë drejt Shqipërisë që po rilind!
Më lejoni të filloj me atë që kam më përzemër: me një falenderim;
– Një falenderim për të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen këtu apo janë anembanë Shqipërisë, për besimin dhe mbështetjen që na kanë dhënë në këto 300 ditë;
– Një falenderim shkon për të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e institucioneve financiare që bën realitet arritjen e objektivave;
– Në fund kam një falënderim për të gjithë pjesëtarët e qeverisë dhe të Kuvendit, që si një trup i vetëm mbështetëm fuqimisht njëri-tjetrin dhe pa këtë mbështetje gjykoj që do të na vështirësohej së tepërmi, secilit nga ne, realizimi i objektivave që sot i deklarojmë të realizuara dhe të tejkaluara. Faleminderit të gjithëve!
Në këtë udhëtim 300 ditësh, me shqetësimin tonë për mirëqeverisje dhe për kthim të institucioneve tek qytetari, natyrshëm financat publike kanë bërë përmbysjen e madhe.
Në 300 ditë ne arritëm, siç thanë edhe kolegët, të kalojmë prapambetjen, gjendjen e rëndë, atë piramidë të dytë financiare të parave të shqiptarëve dhe Sot, ne me mburrje themi se jemi drejt konsolidimit të financave dhe të buxhetit shqiptar.
Dua të përmend vetëm disa prej arritjeve në këto 300 ditë:
• Në këto 300 ditë ne ja dolëm të sigurojmë 270 milionë dollarë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose 13% më shumë, ose thënë ndryshe në një ditë të vetme mesatarisht, organet e tatimeve dhe të doganave kanë realizuar afro 1 milionë dollarë më shumë se një ditë të ardhura në qeverinë “Berisha”. Natyrisht që gjithë këto të ardhura kanë përfunduar në buxhet për më shumë shpenzime për më shumë shpenzime për arsimin, shëndetësinë, bujqësi dhe ekonominë në tërësi, dhe doemos në fund në dobi të qytetarëve shqiptarë!
• Ne ja dolëm të bëjmë realitet taksimin e ndershëm: sot shqiptarët, të punësuarit e vërtetojnë që kanë marrë më shumë, 97 për qind e tyre kanë marrë më shumë nga ç’merrnin.
• Ne realizuam dhe ja dolëm të paguajmë mbi 3000 fatura me vlerë mbi 300 milionë dollarë, por në ndryshim nga shifra që përmendi zëvendëskryeministri ose që mund të shfaqet në ekran, janë jo vetëm para të dhëna biznesit, por dhe qytetarëve shqiptarë për gjyqe pambarim për deri 9 vite me radhë. Të gjitha këto para natyrshëm do të shkojnë për investime dhe punësim.
• Ne ja dolëm të ulemi si partnerë të besueshëm me institucionet ndërkombëtare për të negociuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, me Bashkimin Europian, për ti siguruar buxhetit shqiptar në tre vite, rreth 1 miliardë dollarë! Një falënderim shkon dhe për institucionet ndërkombëtarë që na kanë mbështetur!
• Ne ja dolëm të forcojmë kontrollet ndaj evazionit dhe kontrabandës, vetëm nga bashkëpunimi me CrownAgents në një muaj ne ushtrojmë 500 kontrolle më shumë.
• Ne ja dolëm edhe në luftën kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të parasë publike. Janë mbi 200 dosje për ndjekje penale për mbi 600 persona.
• Ne ja dolëm të reformojmë sistemin bazë fiskal në vend në bashkëpunim dhe në partneritet me biznesin dhe partnerët ndërkombëtarë. Sot marrëdhëniet me ta janë të riformatuara mbi bazën e besimit reciprok.
• Ne ja dolëm të trajnojmë në këto 300 ditë, 600 punonjës të organeve tatimeve, doganave dhe të Ministrisë së Financave, për rritjen e kapaciteteve të tyre.
• Ne ja dolëm të paguajmë këstin e parë të 500 dosjeve të fshehura, të fjetura në letargji, të mbi 1,200 ish-të përndjekurve.
• Ne ja dolëm të rikthejmë besimin në tregun ndërkombëtar. Ashtu siç tha edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, sot rankimi i Shqipërisë në botë është edhe më i lartë.
Ne jo vetëm që ja dolëm, por jemi besimplotë që do ja dalim edhe në 300, dhe në 600 dhe në 900 ditët që do të vijnë, sepse kemi vullnetin, kemi përgjegjshmërinë, kemi përkushtimin dhe kemi profesionalizëm që nuk na mungon!
Por, të gjithë bashkë!
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.