Të gjithë punonjësit dhe ish punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh do të përfitojnë ndihmë financiare për gjatë gjithë vitit 2022. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave dhe u bë i ditur nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së radhës të qeverisë.
Ministrja u shpreh se ndihma financiare do të jetë e barabartë me pagën minimale dhe përfshin edhe pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në total fondi i miratuar është 420 000 000 (katërqind e njëzet milionë lekë).
“Përgjatë gjithë vitit 2022, do të ketë një pagesë kalimtare e barabartë me pagën minimale, përfshirë dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Lista e ish-punonjësve të rafinerisë së naftës në Ballsh, miratuar që në vitin 2020, do të rishikohet me ato persona që janë të punësuar apo të vetëpunësuar, apo ata të cilët kanë dalë në pension pleqërie. Ftoj të gjithë punonjësit dhe ish-punonjësit të rafinerisë në Ballsh t’i drejtohen zyrave të punës pranë vendbanimeve të tyre me qëllim plotësimin e dokumentacionit për të përfituar nga kjo ndihmë, e cila do të jepet në bazë mujore përgjatë gjithë vitit 2022”, tha Ministrja Ibrahimaj.
Sipas vendimit, pagesa kalimtare do të jepet çdo muaj për periudhën janar 2022 – dhjetor 2022, pranë zyrës së punësimit, ku punonjësit kanë vendbanimin. Pagesa kalimtare përfitohet nga punonjësit, pavarësisht nëse kanë përfituar apo jo më parë ndihmë financiare.
Përjashtohen nga përfitimi i pagesës kalimtare personat që: janë të punësuar apo vetëpunësuar; kanë dalë në pension pleqërie apo invaliditeti; nuk janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë.
Punonjësit kërkues duhet të paraqesin pranë zyrës përkatëse të punësimit të dhënat e mëposhtme identifikuese, si: emrin, mbiemrin; numrin personal të identifikimit; llogarinë bankare, në të cilën ka marrëveshjen zyra e punësimit; IBAN-in e llogarisë bankare.
Zyra përkatëse e punësimit, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e kërkesës, bën verifikimet përkatëse në sistemin tatimor mbi të dhënat e deklaruara nga kërkuesit.
Fondi prej 420 000 000 (katërqind e njëzet milionë) lekësh përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2022 për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, përkatësisht në zërin “Pagesa e papunësisë”, të programit buxhetor 10550 “Tregu i punës”.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.