Ministri i Financave z. Arben Ahmetaj ka bërë sot betimin para Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani.
Ministri Ahmetaj u emërua në këtë detyrë në datën 16 shkurt 2015 dhe pas votimit në Parlamentin e Shqipërisë është betuar sot para Presidentit Nishani.
Z. Ahmetaj, nga shtatori 2013 ka drejtuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe nga janari 2014, me afrimin e sektorit të turizmit, u emërua Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Ministri Ahmetaj mban titullin Doktor i Shkencave në fushën e sigurisë energjetike, diplomuar në vitin 2009 në Universitetin e Bukureshtit në Rumani. Ka kryer studimet Master në degën Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci, në Universitetin e Kentucky-t në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, diplomuar në Dhjetor 1996. Në vitet 1996- 2000, z. Ahmetaj ka kryer studimet në Universitetin George Washington, Departamenti i Ekonomisë, dega Menaxhimi i Politikave Ekonomike Publike dhe në Edmund Walsh School of Foreign Service, Washington, në degën Financë ndërkombëtare, tregjet financiare ndërkombëtare. Në vitin 1991 Z. Ahmetaj është diplomuar në Universitetin e Tiranës për Gjuhë Angleze, Specializuar në Literaturë Amerikane dhe Angleze.
Në vitet 1998-1999 ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Tatimeve të Shqipërisë. Në vitin 2003-2004 ka shërbyer si Zëvendës Ministër në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë ndërsa 2004- 2005, Zëvendës Ministër në Ministrinë e Integrimit Europian, krahas eksperiencave të mëparshme si Drejtor i Kabinetit të Ministrit të Financave në vitin ’97-’98; detyra si Këshilltar për çështjet Fiskale në Bankën Amerikane të Shqipërisë; Janar-Qershor ’99; Këshilltar për Çështjet Fiskale në Bankën e Shqipërisë; eksperienca e punës pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë periudhës nëntor ’93- shkurt ’95 etj.
Z. Ahmetaj është anëtar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në vitin 2009 u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë, duke përfaqësuar qarkun e Korçës dhe pas zgjedhjeve të vitit 2013, atë të Gjirokastrës. Ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.