Konsultimi publik i projektligjit “Për amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që bëjnë deklarim vullnet të pasurive” ishte në qendër të takimit që Ministria e Financave dhe Ekonomisë zhvilloi me përfaqësues të komunitetit të biznesit, dhomave të tregtisë dhe industrisë, përfaqësues të disa prej ambasadave të huaja në vendin tonë dhe institucioneve të ndryshme shtetërore.
I pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe Kryeministri Edi Rama.
Aktiviteti nisi fillimisht me prezantimet dhe fjalimet e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj; zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj; Zv.Guvernatores së Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi; Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja; ekspertit ndërkombëtar z. John Gibson, partner në zyrën e Cohen & Gresser’s në Londër, të cilët dhanë argumentet dhe këndvështrimet në kuadër konsultimit të projektligjit.
Ministrja Ibrahimaj sqaroi se drafti i propozuar për konsultim publik është hartuar pasi u reflektua mbi sugjerimet që partnerët ndërkombëtarë dhe Moneyval bënë mbi projektligjin e amnistisë fiskale dhe penale që qeveria prezantoi së pari në vitin 2020, si dhe pas nismës së Këshillimit Kombëtar, ku mbi 66 % e pjesëmarrësve iu përgjigjën pozitivisht pyetjes nëse qeveria duhet të ndërmarrë një amnisti fiskale dhe penale për legalizimin e kapitaleve të shqiptarëve që jetojnë brenda apo jashtë vendit.
Ministrja bëri një prezantim të shkurt të objektit dhe qëllimit të projektligjit dhe u shpreh se Shqipëria sot ndodhet në kushtet kur janë krijuar premisat për të bërë një amnisti fiskale dhe penale të plotë, për të lejuar individët dhe taksapaguesit të legalizojnë paratë informale të vendosura në 30 vjet nga puna e padeklaruar apo pasqyrat financiare të padeklaruara, dhe për të evituar që kjo të mos ndodhë më në të ardhmen.
“Është e nevojshme që të ngrihet strukturat dhe kapacitetet në mënyrë që të krijohet një vit 0 (zero), ku të mos ketë më mundësi që këto para të qarkullojnë jashtë bankave apo që evazioni të materializohet. Dhe pikërisht viti 0 është ky. Nëpërmjet amnistisë fiskale dhe penale ne do të bëjmë të mundur që këto para të legalizohen dhe do t’i japim mundësi çdo shqiptari që të gjithë paranë nga puna e padeklaruar apo nga pasqyra financiare të padeklaruara, të krijuara në një historik 30 vjeçar të pasigurisë së ekonomisë që kemi përjetuar, të mund ta legalizojë”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas literaturës dhe studimeve ndërkombëtare, si ato të FMN, shtetet duhet të ndërmarrin programe të deklarimit vullnetar të të ardhurave, kur ato janë gati me sisteme dhe reforma, në mënyrë që të parandalohet në të ardhmen krijimi i mundësive për evazion apo për punë të padeklaruar.
Ministrja theksoi faktin se pikërisht këtë gjë ka bërë qeveria ndër vite, ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në funksion të forcimit të shtetit ligjor, luftës kundër terrorizmit, luftës kundër korrupsionit; luftës kundër pastrimit të parave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar; dhe mbi të gjitha në kuadër të luftës kundër informalitetit.
Ministrja tha se qëllimi i projektligjit nuk është vetëm rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe theksoi se, në situatën ekonomike në të cilën ndodhet vendit, është e rëndësishme që ekonomia të marrë inpute dhe të zhvillohet nëpërmjet këtyre kapitaleve që do të futen në sistem.
Sipas Ministres, projektligji do të krijojë transparencë dhe do të krijojë kushtet për zhvillimin e një ekonomie tregu të qëndrueshme, gjë për të cilën qeveria po punon, me një sërë paketash legjislative, në kuadër të integrimit europian.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje,
Ju faleminderit që i jeni përgjigjur ftesës sonë për të qenë pjesë dhe të pranishëm në eventin e sotëm, për konsultimin publik të një projektligji shumë të rëndësishëm si i Amnistisë Fiskale dhe Penale.
Në muajin qershor të këtij viti, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, kanë finalizuar draftimin e projektligjit që diskutohet sot dhe e kanë hedhur për konsultim publik. Nga momenti i nisjes se procesit të konsultimit janë zhvilluar disa tryeza të rrumbullakëta, me përfaqësues të shoqatave të biznesit, të Këshillit Kombëtar Tatimor, sistemit bankar, me qëllim dëgjesën e shqetësimeve dhe sugjerimeve të tyre në lidhje me këtë projektligj.
Edhe eventi i sotëm është në kuadër të konsultimit të gjerë publik dhe për këtë arsye kemi një panel të nderuar me:
Zëvendëskryeministrin, z.Arben Ahmetaj;
Zëvendësguvernatoren e Bankës së Shqipërisë, znj.Luljeta Minxhozi;
Ministrin e Drejtësisë, z.Ulsi Manja;
Zv. Sekretaren e Përgjithshme të Kryeministrisë, znj. Elira Kokona;
Ekspertin ndërkombëtar z. John Gibson, Partner në zyrën e Cohen & Gresser’s në Londër.
Ky nuk është ligji i parë i amnistisë i propozuar nga qeveria shqiptare. Besoj të gjithë e mbani mend se në vitin 2020 ne ndërmorëm këtë iniciativë, kur u hartua draft projektligji për amnistinë fiskale dhe penale, si një ndër nismat e rëndësishme të qeverisë.
Megjithatë, në vlerësim të plotë të komenteve të bëra nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe Monevyal, procesi ligjor u ndërpre me qëllim reflektimin e sugjerimeve, që këta aktorë dhanë për projektligjin.
Nga ana tjetër, gjatë muajit dhjetor, qeveria shqiptare ndërmori nismën e Këshillimit Kombëtar, ku qytetarët u pyetën për disa iniciativa të rëndësishme të qeverisë dhe dhanë opinionin e tyre mbi këto iniciativa.
Mbi 66 % e pjesëmarrësve në këtë Këshillim ishin pozitiv ndaj pyetjes nëse qeveria duhet të ndërmarrë një amnisti fiskale dhe penale për legalizimin e kapitaleve të shqiptarëve që jetojnë në vend apo jashtë tij.
Nga ana tjetër, Shqipëria ndër vite ka ndërmarrë disa procese, të cilat nuk do t’i konsideroja si amnisti, pasi të gjitha këto procese, qoftë në vitin 1999, 2006, 2011, 2017, kanë qenë amnisti të karakterit të faljes fiskale dhe jo amnisti të plota, siç është projektligji që ju paraqitet sot për konsultim dhe për mendim.
Ky projektligj ka një sërë avantazhesh të cilat ne do t’i diskutojmë gjatë ditës së sotme dhe do të mirëpresim të gjithë komentet tuaj për ato, të diskutojmë dhe të analizojmë premisat e kësaj amnistie fiskale dhe penale.
Projektligji parashikohet të zbatohet përgjatë një afati 9-mujor për të gjithë subjektet që plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore për tu bërë pjesë e tij, të cilët janë:
Individë, shtetas të Republikës së Shqipërisë pavarësisht nëse janë rezidentë tatimorë ose jo në Republikën e Shqipërisë;
personat fizikë dhe juridikë, tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe;
individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre;
Në një prej dispozitave të projektligjit është specifikuar kufiri për deklarimin vullnetar, i cili nuk do të kalojë vlerën maksimale 2 milionë euro.
Dispozitat e projektligjit ofrojnë garanci përmes një procedure transparente, ndërvepruese me të gjithë institucionet që kanë në objektin e punës së tyre luftën kundër krimit, pastrimit të parave, korrupsionit dhe financimit të terrorizimit.
Në zbatimin e këtij ligji, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, do të krijohet një Njësi speciale, e cila do të ketë për detyrë të ndër veprojë aktivitetin e saj me të gjitha institucionet shtetërore që kanë si objektiv të gjitha këto elementë që unë sapo paraqita.
Njësia speciale pranë Administratës Tatimore, në një kohë prej 5 ditësh, do të analizojë të gjithë kërkesat që do të vijnë nga subjektet, individë apo tatimpagues, duke ndër vepruar në mënyrë elektronike me të gjithë institucionet shtetërore që lidhen me luftën kundër krimit, pastrimit të parave, korrupsionit dhe financimit të terrorizimit.
Në përfundim të afatit 5 ditor, Administrata Tatimore do të japë një vërtetim, nëpërmjet të cilit të gjithë individët apo bizneset mund t’i drejtohen sistemit bankar, në mënyrë që të paguajnë një tatim të posaçëm i cili është parashikuar për tu paguar për legalizimin e kapitaleve, qoftë ato cash apo asete.
Kjo normë tatimore e reduktuar, përsa i përket cash-it dhe aseteve, është 7 % për 4 muajt e parë të zbatimit të ligjit dhe 10 % për 5 muajt e tjerë të zbatimit të ligjit.
Nga ana tjetër, sistemi bankar, me kryerjen e këtyre veprimeve, do të ndër veprojë përsëri me Administratën Tatimore dhe në përfundim të procesit të verifikimit të të gjithë elementëve, Administrata Tatimore do të lëshojë një certifikatë, e cila do të jetë certifikata e legalizimit të këtyre parave apo aseteve.
Shumë prej kush kanë pyetur përse tani dhe pse amnisti në këtë formë, në këtë moment?
Një nga objektivat e amnistisë është rritja e të ardhurave tatimore në periudha afatshkurta.
Në situatën në të cilën ndodhemi, kriza ekonomike ka prekur jo vetëm Shqipërinë, por të gjitha vendet e botës. I ka vendosur ekonomitë në kushtet jo normale të funksionimit të tyre. I ka vendosur shtetet në kushte jo normale të gjetjes së financimeve për investimet e tyre apo buxhetet e tyre.
Kjo është një krizë e cila ka gjetur të papërgatitur shumë shtete dhe pikërisht tani është e rëndësishme rritja e kapitaleve, me qëllim që të financohen të gjithë ato projekte të mëdha investimi që ne kemi të parashikuara.
Nga ana tjetër, në Shqipëri kemi një historik ku prej 30 vitesh kemi pasur një normë informaliteti të lartë. Kemi normë të lartë të parasë jashtë bankave, e cila sigurisht jo e gjithë është informale, por një pjesë e saj është.
Është e nevojshme që të ngrihet strukturat dhe kapacitetet e shteteve në mënyrë që të krijohet një vit 0 (zero), ku të mos ketë më mundësi që këto para të qarkullojnë jashtë bankave apo që evazioni të materializohet. Dhe pikërisht viti 0 është ky.
Nëpërmjet amnistisë fiskale dhe penale ne do të bëjmë të mundur që këto para të legalizohen dhe do t’i japim mundësi çdo shqiptari që të gjithë paranë nga puna e padeklaruar apo nga pasqyra financiare të padeklaruara, të krijuara në një historik 30 vjeçar të pasigurisë së ekonomisë që kemi përjetuar, të mund ta legalizojë.
Kjo nuk bëhet vetëm me qëllimin e rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit. Në situatën ekonomike në të cilën ndodhemi, është e rëndësishme që ekonomia të marrë inpute dhe të zhvillohet nëpërmjet këtyre kapitaleve që do të futen në sistem nëpërmjet ligjit të amnistisë fiskale dhe penale.
Nga ana tjetër, projektligji ka për synim përmirësimin e pajtueshmërisë me taksat në të ardhmen.
Shumë prej jush, në konsultimet publike që kemi pasur apo edhe në media, kanë deklaruar se ky projektligj dekurajon pagesën e taksave. Në fakt literatura ndërkombëtare dhe studimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se duhet që shtete të ndërmarrin programe të deklarimit vullnet të të ardhurave. Por kur duhet t’i ndërmarrin këto programe? Duhet t’i marrin në momentet kur shtetet janë gati me sisteme dhe me reforma, në mënyrë që të parandalohet në të ardhmen krijimi i mundësive për evazion apo për punë të padeklaruar.
Është pikërisht kjo që qeveria jonë ka bërë ndër vite. Qeveria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në kuadër të:
forcimit të shtetit ligjor;
luftës kundër terrorizmit;
luftës kundër korrupsionit;
luftës kundër pastrimit të parave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;
mbi të gjitha në kuadër të luftës kundër informalitetit.
Gjatë viteve të fundit ne kemi bërë investime të jashtëzakonshme në infrastrukturën dixhitale, qoftë pranë Administratës Tatimore, qoftë pranë të gjithë atyre administratave të cilat janë të lidhura me reformat dhe proceset që përmenda më sipër.
Administrata Tatimore, gjatë dy viteve të fundit, ka qenë totalisht e angazhuar për zbatimin e projektit të Fiskalizimit, e jo vetëm. Ka qenë e angazhuar në zbatimin e krijimit të regjistrit të llogarive bankare. Qendra Kombëtare e Biznesit ka krijuar regjistrin e pronarëve përfitues. Janë të gjithë këto regjistra të cilat do të ndër veprojnë me njëri-tjetrin, me qëllim që të parandalohet në të ardhmen krijimi i parasë informale apo i evazionit.
Pra, jemi në kushtet kur ne kemi krijuar premisat për të pasur një amnisti të tillë, për të lejuar të gjithë individët apo taksapaguesit që të legalizojnë atë para informale që kanë pasur në të kaluarën, dhe për të evituar që kjo të mos ndodhë në të ardhmen.
Projektligji i amnistisë fiskale, në periudhën gjatë të cilës do të zbatohet, do të vijë i shoqëruar me një fushatë komunikimi, ku të gjithë individëve do tu bëhet e ditur se cilat janë strukturat të cilat në të ardhmen do të parandalojnë dhe do të gjurmojnë çdo aktivitet të paligjshëm që mund të ndodhë në vend në kuadër të mos deklarimit të të ardhurave apo evazionit.
Ky është një projektligj shumë i rëndësishëm, i cili do të krijojë transparencë dhe do të krijojë kushtet për zhvillimin e një ekonomie tregu të qëndrueshme, sikundër ne jemi duke bërë, me një sërë paketash legjislative, në kuadër të integrimit europian.
Faleminderit.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.