Postuar më: 12/09/2014

Cani:Reformim të sistemit të taksimit të pasurisë në vend

 

 

Fillimisht përshëndes gjithë pjesëmarrësit si dhe të gjithë ata që përfaqësohen nëpërmjet tyre. Në mënyrë të veçantë falenderoj dhe përshëndes asistencën dhe kontributin e pandërprerë të Projektit të USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP).

Ndarja administrative e re, si thelbi i reformës së qeverisjes vendore erdhi si produkt i kontributit të të gjithë segmenteve të shoqërisë shqiptare. Në këtë kontribut përfshihet edhe faktori i jashtëm, nëpërmjet institucioneve dhe qeverive të ndryshme që mbështesin vendin tonë.

Ky vit, në të cilin reforma më e fundit ndodhi, është finalizim i disa reformave fragmentare në këto 22 vitet e fundit, si një konkluzion i bazuar mbi efektivitetin ekonomik dhe financiar të vendit dhe në përgjigje të ndryshimeve demografike dhe sociale. Nga konsultimet publike dhe studimet e bëra në lidhje me buxhetin e pushtetit vendor, shpenzimet administrative krijonin një erozion në këtë buxhet prej më shumë se 50%.

Fragmentarizimi i njësive të qeverisjes vendore ka shumë vite që tregon se kostoja në ofrimin e shërbimeve bazë për qytetarët i kushton shtrenjtë buxhetit, ndërsa cilësia që përfitojnë qytetarët është e dobët, me mungesa dhe me kosto në rritje edhe prej korrupsionit (pagesa shpenzimesh për 373 kryetarë te njësive vendore, mbi 4,000 këshilltarë vendorë dhe rreth 20,000 nëpunës vendorë).

Gjithshka që flet për pushtetin vendor na tregoi të gjithëve se një nga problemet kryesore për zgjidhje prej reformës territoriale është pikërisht ushtrimi de fakto, nga njësitë e qeverisjes vendore, të autonomisë fiskale dhe financiare që Kushtetuta dhe ligji jua njeh si të drejtë.

Pra, ulja e njësive nuk është qëllimi i kësaj reforme, por modeli i zgjedhur nga qeveria për të rritur vëmendjen në zgjidhjen e problemit historik të qeverisjes vendore, ai i decentralizimit fiskal dhe menaxhimit të financave publike.

Kështu, pushteti qëndror mundëson efektivitet të shfrytëzimit të fondeve nga kompaktësimi i pushtetit vendor, nëpërmjet mirëmenaxhimit të shpenzimeve (kursehen rreth 6 miliardë leke ose 60 milion dollarë), por edhe me anë të rritjes së kapaciteteve të administrimit fiskal, duke shkuar në përputhjen e funksioneve të qeverisjes vendore me financat e tyre.

Ministria e Financave po ndërmerr veprimet e nevojshme në fushën e buxhetit, si dhe në kuadër fiskal, që të sigurohet funksionimi kushtetues i njësive të qeverisjes vendore aktuale nëpërmjet buxhetit të vitit 2015.

Aktualisht, kemi filluar projektin e reformimit të sistemit të taksimit të pasurisë në vend, duke startuar me krijimin e të ashtuquajturës Kadastër Fiskale, e cila do të konsistojë në evidentimin e cdo pasurie në vend, sipas vlerës së tregut. Kjo do t’i hapë rrugë taksimit të pasurisë sipas vlerës së tregut. E filluam punën lidhur me taksën e pasurisë sepse është taksa më e keqadministruar ndër vite në vend, duke sjellë një minus vjetor rreth 0.55% të PPB ose rreth 7.6 miliardë lekë në vit, nga mos mbledhja e saj.

Së shpejti do të propozojmë si pjesë e Paketës Fiskale për vitin 2015 ndoshta, ndryshimin e formulës së ndarjes së rentës minerale. Në bazë të ligjit të taksave kombëtare, 25% e të ardhurave nga renta minerale i jepet bashkive dhe komunave. Përpos kësaj në ligjin e buxhetit të shtetit është kufizuar marrja e kësaj rente nga bashkitë dhe komunat, duke e lidhur  me shumën e transfertës së pakushtëzuar. Do të propozojmë ndryshimet e duhura në të dy ligjet. Synojmë që të fillojmë inkurajimin e fuqizimit financiar de facto të pushtetit vendor.

Ky është një shans, që ne të rilindim financat e pushtetit vendor mbi rrënojat e modelit të vjetër, duke i bërë gjërat ndryshe. Ne mësojmë nga gabimet e të kaluarës, duke synuar të krijojmë një sistem fiskal dhe financiar për pushtetin vendor të fortë, të pavarur, duke u siguruar se kjo do të jetë më e mira e mundshme.

 

Decentralizimi fiskal, sfidat dhe mundësitë 

 

Të rejat e fundit